"Të respektohet marrëveshja për sulmet ndaj Kievit"/ Zelensky: Pres që palët t'i përmbahen asaj që kemi rënë dakord

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, deklaroi mbrëmjen e sotme se Kievi pret që Rusia të respektojë marrëveshjen për të mos goditur kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera për një periudhë njëjavore, për shkak të temperaturave ekstreme.

Në një postim në  "X", Zelenski bëri të ditur se kjo çështje është diskutuar nga ekipet ukrainase dhe ruse gjatë bisedimeve të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe në fundjavën e kaluar.

Sipas tij, pritet që palët t’i përmbahen asaj që është rënë dakord.

Kreu i shtetit ukrainas theksoi se çdo hap drejt uljes së tensioneve ndihmon në krijimin e kushteve për përparim real drejt përfundimit të luftës, duke nënvizuar se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Deklarata e Zelenskit vjen pas njoftimit të presidentit Donald Trump, i cili kishte bërë të ditur më herët se ishte arritur një dakordësi e përkohshme për ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase gjatë valës së të ftohtit ekstrem.