Starlink në 'duart' e Moskës/ Rusia po përdor sistemet satelitore të Elon Musk për montimin e dronëve s*lmues
Rusia po përdor sistemet satelitore Starlink të Elon Musk të montuara në dronët e saj sulmues, duke rritur ndjeshëm rrezen e veprimit dhe saktësinë e goditjeve në territorin ukrainas, kanë bërë të ditur zyrtarë dhe ekspertë ukrainas të sigurisë.
Sipas Serhii Beskrestnov, ekspert i teknologjisë ushtarake dhe këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, janë mbledhur prova për qindra sulme të kryera nga dronë rusë të pajisur me Starlink, të cilët kanë goditur qytete civile, ndërtesa banimi dhe objekte infrastrukturore, si në vijën e frontit ashtu edhe në thellësi të territorit.
Teknologjia Starlink u lejon dronëve rusë të shmangin bllokuesit elektronikë ukrainas që neutralizojnë sinjalet GPS dhe radio, duke mundësuar kontroll në kohë reale dhe goditje shumë më të sakta.
Ndryshe nga dronët me kabllo optike, të cilët kanë rreze të kufizuar veprimi, dronët e pajisur me Starlink mund të fluturojnë deri në 500 kilometra dhe të kontrollohen drejtpërdrejt nga territori rus.
Sipas Beskrestnov, këta dronë janë më të lirë, më të vështirë për t’u bllokuar dhe po aq efektivë sa sistemet më të shtrenjta raketore.
Ai paralajmëroi se kjo përbën një rrezik serioz sigurie, pasi rrezja e veprimit përfshin jo vetëm pjesën më të madhe të Ukrainës, por edhe Moldavinë dhe zona të vendeve anëtare të NATO-s si Polonia, Rumania dhe Lituania.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, deklaroi se Kievi duhet të reagojë me shpejtësi ndaj këtij zhvillimi dhe bëri të ditur se janë zhvilluar kontakte me SpaceX për të ndaluar përdorimin e teknologjisë Starlink nga Rusia.
Ai shtoi se Rusia ka intensifikuar ndjeshëm përdorimin e dronëve, duke lëshuar mbi 6 mijë vetëm gjatë muajit të kaluar.
Përdorimi i Starlink nga Rusia bie ndesh me sanksionet amerikane, sipas të cilave shërbimi nuk lejohet të shitet apo të përdoret në territorin rus.
Megjithatë, sipas autoriteteve ukrainase, Moska po i siguron pajisjet përmes vendeve të treta, duke anashkaluar kufizimet ndërkombëtare.

