Serbia kufizon pavarësinë e gjyqësorit/ BE paralajmëron: Po hidhni "hapa prapa" në rrugën europiane

Parlamenti serb miratoi ndryshimet në grupin e ligjeve të sistemit gjyqësor të propozuara nga partia Progresive e presidentit Aleksandër Vuçiç, duke rritur kontrollin e qeverisë mbi gjyqësorin dhe duke kufizuar kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kritika të ashpra erdhën nga opozita, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladan Petrov dhe Bashkimi Evropian.

Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi votën e Parlamentit një “hap serioz prapa” në rrugën evropiane të Serbisë, duke vënë në dukje se vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, po ecin me shpejtësi drejt BE-së.

Brukseli paralajmëroi se ndryshimet u miratuan me “nxitim” dhe në një proces jo transparent, pa konsultim me Komisionin Evropian dhe Komisionin e Venecias, dhe do të analizohen detajisht për të vlerësuar ndikimin e tyre.

Ligjet e ndryshuara përfshijnë të gjitha organet kryesore të sistemit gjyqësor: Ligjin për Selitë dhe Territoret e Gjykatave dhe Prokurorive Publike, Ligjin për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ligjin për Prokurorinë Publike, Ligjin për Gjyqtarët dhe ligje të tjera për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë.