“Kushtetuesja” e Kosovës: Zgjedhja e Rashiçit si nënkryetar i Kuvendit, në shkelje të Kushtetutës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës bën të ditur se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiçit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Gjykata, ka vendosur me 6 vota për dhe 1 kundër, kërkesën si të pranueshme; (ii) të konstatojë, me pesë vota për dhe dy kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me pesë vota për dhe dy kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Më 16 tetor të vitit të kaluar, Lista Serbe, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re.
Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja, më 28 dhjetor 2025.
Nga këto zgjedhje, VV doli e para sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, me 51,10 për qind të votave, por ende nuk ka rezultat përfundimtar nga KQZ. /KosovaPress

