Mbahet sot gjyqi ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë
Mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Kjo seancë gjyqësore është e para e këtij viti e cila pasohet nga video dhe incizime që sipas prokurorisë, janë gjurmë të lëna nga autorët potencial të krimit.
Në proceset e mëparshme gjyqësore, organi i akuzës ka paraqitur prova materiale dhe pamje filmike nga momentet para dhe gjatë ngjarjes, të cilat janë përfshirë në dosjen e rastit.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”. Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 krunash suedeze (261,031 euro) me qëllim që pas vdekjes së saj, Murseli ta përfitonte këtë sigurim.
Prokuroria tha se Murseli ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë, nuk kishte pranuar të kryente vrasjen, dhe e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën. Prokuroria tha se të tre më pas janë pajtuar që Plava ta vriste Liridonën dhe Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro.
Ndërkaq, në këtë rast Dodaj thuhet se u përfshi pasi në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli kishte blerë nga ai një pistoletë, e firmës Zastava dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, tha Prokuroria, ishte vrarë Liridona Ademaj.
“....Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria.
