Seancë me banorët e prekur nga projekti TID Durrës, Zhupa: Kuvendi nuk detyron dot një institucion privat që t’i vijë në dëgjesë që kur AADF-ja filloi të fuste duart në pasuritë publike

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua sot seancë dëgjimore për diskutimin e projektit TID (Durrës) me përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe një grup përfaqësuesish të komunitetit të banorëve të Durrësit.

Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa falënderoi pjesëmarrësit si dhe bashkinë e Durrësit që ishte treguar e gatshme të ndihmonte me informacion.

Në fillim të dëgjesës, Ina Zhupa sqaroi se Bashkia Durrës nuk ishte e pranishme, përveçse në mënyrë shkresore, duke qenë se nuk ka rol në këtë projekt të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Sipas kryetares së komisionit parlamentar, AADF ka refuzuar të jetë i pranishëm dhe të japë llogari publike para Kuvendit të Shqipërisë, për menaxhimin e një prone publike dhe interesit publik.

“Sot jemi përballë faktit që Kuvendi i Shqipërisë nuk detyron dot një institucion privat që t’i vijë në dëgjesë dhe kjo tregon atë që ka thënë opozita që kur AADF-ja filloi të fuste duart, këmbët dhe kokën në pasuritë publike shqiptare: te koncesioni i Butrintit, te Piramida, Elbasani, Gjirokastra, Ohri”, tha Zhupa.

Në komision, Zhupa ngriti shqetësimi se interesi publik i është lënë privatit për ta mbrojtur dhe s’ka më asnjë mekanizëm që privati të detyrohet që minimalisht të përgjigjet në komision.

Entela Koja, arkitekte dhe urbaniste, një nga pronaret e banesave të prekura nga projekti TID Durrës, tha se projekti ka shkelje të rënda në të drejtat qytetare, në të drejtat e pronësisë dhe në mënyrën se si është bërë.

“Deri në daljen e VKM-së së shpronësimit, në muajin gusht, ne nuk jemi pyetur”, tha Entela Koja, e cila përmendi ligjin 169 të vitit 2020, i përmendur edhe në Planin e Menaxhimit, i cili thotë se konsultimet bëhen me listëprezencë dhe marrje mendimesh nga banorët të cilat merren në konsideratë nga grupi i projektimit.

Banoret thanë se, janë bërë projekte mbi objektet e tyre, pa i vënë kush në dijeni. Banorët u shprehën se, nuk janë kundër projektit por në fakt po mbrojnë shtëpitë e tyre.

Projekti TID përfshin 74 banesa të Durrësit. Projekti TID Durrës parashikon të ofrojë mundësi të prekshme të përfitimit ekonomik nëpërmjet trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të qytetit, për komunitetet lokale.