Debate për projektin “TID Durrës”, Bylykbashi: U zhduk identiteti i qytetit në emër të modernizimit
Në seancën dëgjimore të Komisionit për Kulturën dhe Turizmin, ku u diskutua projekti “TID Durrës”, deputeti Oerd Bylykbashi ngriti shqetësime mbi mënyrën se si ndërhyrjet urbanistike kanë ndikuar në humbjen e identitetit historik të Durrësit.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi u shpreh se dikur mjaftonte të ishe 30–40 vjeç dhe të të quanin durrsak, edhe pa pasur domosdoshmërisht shtëpinë në qytet, për të pasur një lidhje të fortë me të. Sipas tij, në emër të ndërtimit të një Durrësi “modern”, janë zhdukur elementë të rëndësishëm të identitetit urban.
Ai veçoi shembullin e shatërvanit, duke e cilësuar si pjesë të kujtesës kolektive të qytetarëve. “Shatërvani ishte pjesë e kujtesës humane, çdo kush kishte një fotografi aty”, tha Bylykbashi.
Deputeti u ndal edhe te raporti mes ndërtimeve të reja dhe trashëgimisë kulturore, duke theksuar se kulla e re e ndërtuar përballë Torrës Veneciane e ka zbehur këtë të fundit. “E kishim të pamundur ta mbronim Torrën Veneciane, e cila sot duket e zvogëluar përballë një centauri dhe nuk i jep më qytetit identitetin që meriton”, u shpreh ai.
