“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.
Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.
Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.
Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.
