Ismail Qemali, urtësia që zbuti gjaknxehtësinë e kohës, maturia që siguroi njohjen ndërkombëtare dhe guximi që sfidoi shekujt e harresës
Në këtë përvjetor që sapo lamë pas të kalimit në përjetësi, përkulemi me ndërmendje të thellë për Ismail Qemalit (24 janar 1844 – 26 janar 1919), burrit që me pishtarin e amanetit të të parëve udhëtoi nëpër natën kobzezë të agonisë osmane, për të ndezur diellin e atij agimi mëvetësie. Me urtësinë dritur në besim e kurajon për t’u ndeshur, ai përmbushi aktin më të lartë në historinë e qenësisë së një kombi.
“Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”, janë fjalët e atit legjendar të kombit tonë, Ismail Qemali. Ky është psalmi i një zëri të lartësuar në qëllimin e hyjshëm të betimit në flamur dhe ideal.
Ai nuk ishte thjesht një udhëheqës, por vetë busulla e ndërgjegjes sonë shtetformuese. Ai ishte mendja gjeniale që diti ta përkthente klithmën shekullore për liri në një akt të prerë juridik e diplomatik, duke e kurorëzuar aspiratën tonë me Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Ai nuk qe thjesht protagonist i një çasti fatlum; ai ishte arkitekti i një procesi të gjatë emancipimi. I kalitur në korridoret e ndërlikuara të administratës osmane dhe i sprovuar në vetminë fisnike të mërgimit, Ismail Qemali u kthye në Vlorë me vizionin e një evropiani: kombi shqiptar duhej të hynte në shekullin e sovranitetit me dinjitet, racionalitet dhe ligj.
"Ismail Qemali nuk ngriti vetëm një pëlhurë në erë; ai nguli në tokën arbërore shtyllat e palëkundura të shtetit modern."
Karriera e tij, e nisur nën dritën e reformave të Tanzimatit, e pajisi me një mprehtësi të rrallë. Ai e kuptoi herët se reformat që nuk njihnin shpirtin e kombeve ishin të destinuara të ktheheshin në pluhur. Ky ndriçim i brendshëm e shndërroi atë në zërin evropian të çështjes shqiptare.
Kur ora e historisë rrahu me forcë në vitin 1912, ai nuk zgjodhi aventurën, por maturinë. U nis drejt kancelarive të Vjenës e Londrës, duke ditur se shteti lind nga guximi i pushkës, por mbijeton nga ekuilibri i penës.
Vitet e tij të fundit, të dokumentuara në kujtimet e tij të çmuara, mbeten një testament i ndërgjegjes politike moderne. Ndonëse mbylli sytë në Peruxhia më 26 janar 1919, larg tokës që i dha emër, ai mbetet Ati i Kombit, jo si një kult i mbyllur, por si një frymë e gjallë.
Ai ishte Ismail Qemali, urtësia që zbuti gjaknxehtësinë e kohës, maturia që siguroi njohjen ndërkombëtare dhe guximi që sfidoi shekujt e harresës.
Sot, Ismail Qemali nuk i përket vetëm bronzit apo faqeve të historisë; ai i përket përgjegjësisë sonë qytetare për ta mbajtur të pacenuar e të lartë atë flamur që ai, me duar që dridheshin nga pesha e historisë, e ngriti në ballkonin e Vlorës.

