FOTO-REPORTAZH/ Valbona, atje ku një ngulm fluturimi të cyt dhe një qiell i thellë të përpin

Për ty dhe për shumkënd që yshtet prej nevojës për të qenë qoftë vetëm një moment, pulsi i fuqishëm i këtyre maleve, rrëmbimi i këtij gurrimi prej gjoksit të tokës, potera e këtij vërshimi, Valbona është e pakurrkundshoqe dhe harbimi i saj dëshirues mbetët një ngasje që kërkon ti blatohesh, kërkon t'i mbetesh besnik si një dashurie marroke, e cila të ka mëkuar përmasat më të thella të dëshirimit.

Ligjërime e gojtari të ndryshme, të cilat kanë shpërfaqur bujarisht adhurim, kanë me pas diçka të paplotë me e përtri në këndime e shpengime, me e lëmu me andjen që e kall këtë vash epike, këtë vërshim që shkumëzon përmes krekosjeve madhështore të maleve, këtij kushtrimi që thepon prej të pamundurës me i kap majat, të cilat pothuaj gjithmonë i gjen të kredhuna në re si në një kuvendim me një botë që shtreson përmbi ta.

E pangjashme me asnjë manifestim egrash festiv të natyrës është kjo yshtje. E pashoqe me asnjë harbim tjetër dëshirues është kjo epje.

FOTO-REPORTAZH/ Valbona, atje ku një ngulm fluturimi të cyt dhe

Valbona, vetanake dhe ngasëse me gurgullimin e vet të zallamahishme, që ngërthen gërshetat e shkumëzuar pas shkëmbinjve që kanë pikuar nga qielli si pas një beteje epike heronjsh mitik.

Ajo është marramendëse për kureshtinë, përshkuese dhe magjepsjes për syrin dhe ëndjen. Një jehonë që ushton në qiellin e kyçur në çarkun e majëmaleve, një thirrje shpuese që i gurgullon në vesh çdo ardhacaku, çdo bujtësi në këtë amfiteatër kopulimesh të epshme të erozionit dhe shndërrimit shumëvitash.

Në këtë lojë të hazdisur të natyrës gatitu, të pret një ndeshje eposi në këtë afri që të rrok, në këtë dalldi që të përpin. Si një gladiator përballu në këtë ndërkryemje hutimi dhe shastisjeje, ti shpirti që ndjen teksa e përshkon një hapësirë e përreth të afrohen si shtojzovalle reflektimet e diellit dhe hijet e reve. Përpiqu që teksa frymëmerr të matësh krahët e fluturimit të atij shpendi mitik që të thërret në këtë mrekullim, në këtë përplasje krahësh në epshin e një fluturimi etern.

Në duar të derdhet blerimi i dushqeve dhe halorëve që diç të thonë në pëshpërimën që të vjen nga pas dhe ndez harbimin në ty dhe çdo ardhëtari tjetër që pjesëmerr në këtë lojë përqafimi me të pamatshmen, ushtuesen, jehuesen, kushtruesen.

FOTO-REPORTAZH/ Valbona, atje ku një ngulm fluturimi të cyt dhe

Ndalem dhe rreket të dëgjoj hapat, të përgjoj atëgjënë që e ndjen, të shohë diçkanë që të ka vënë përfundi, por nuk e shquan. Ai është i zënë në grackën e të magjishmes, si në topitjen e ninullës së një zëri që i oshëtin së brendshmi. Një melodi ajri e mban atë pezuall. Kolovitet me gjethet, me erën fluturon, gurron nëpër shkumëzimin e ujit të ftohtë e në petale të kaltra shndërrohet kur etjen i'a ndez thellësia.

Ikën dhe vjen nëpër këtë hutim si një pendë zogu që era dhe shkumzimi i valëve e mban pezull, duke ladruar derisa e lë të prehet diku në një shkurrnajë.

Merr frymë thellë dhe mbledh gjithë ngulmet e përpiqet të lexojë çfarë shkruhet në testamentin e këtij eteri, si deshifrohet kodika e kësaj shejtnie.

Mundimshëm arrin të kapësh anët e kësaj tabloje, e nis ta mbledhësh për ta marrë me vete, si skajet e mbulese të qëndisur vezullimesh.

FOTO-REPORTAZH/ Valbona, atje ku një ngulm fluturimi të cyt dhe

Ta marrë në ikje atë çfarë u bë e tija, për të mos lënë pas asnjë frymëmarrje që thellë e nguci t'ia mbushë mushkëritë kjo thirrje e qiellit dhe tokës, ky proces rutinor i vërshimi, gjasmimit të përplasjes së shkaku mbi pasojën, ngulmit eroziv të prejkohjes me të tashmen, të mbetur dorzan paaftësisë për tu bërë pjesë e pranisë.