NUK NDALET SABALENKA/ Numri një i botës kalon bindshëm në gjysmëfinalen e Australian Open

Aryna Sabalenka vijon rrugën drejt titullit të tretë në katër vitet e fundit në Australian Open. Bjellorusja mposhti pa vështirësi adoleshenten amerikane Iva Jovic në çerekfinale. Ajo deklaroi se objektivi i vetëm në turne është fitimi i trofeut.

Aryna Sabalenka ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Australian Open, duke treguar edhe një herë forcën dhe stabilitetin e saj në turnetë e mëdhenj.

Tenistja numër një në botë mundi 18-vjeçaren amerikane Iva Jovic me shifrat 6-3, 6-0, në një ndeshje të dominuar plotësisht nga bjellorusja.

Joviç, nga ana e saj, e cilësoi Sabalenkën si frymëzim për mënyrën se si ka kthyer vështirësitë në motivim dhe forcë konkurruese.

Me këtë fitore, Sabalenka ka arritur gjysmëfinalen në 14 nga 17 turnetë e fundit Grand Slam që ka zhvilluar, duke u bërë vetëm lojtarja e tretë në 38 vitet e fundit që regjistron tetë gjysmëfinale radhazi në Grand Slam, pas Lindsay Davenport dhe Martina Hingis.

Ajo ka mbërritur në këtë fazë në Melburn pa humbur asnjë set, me 10 fitore radhazi në fillim të vitit 2026 dhe 20 sete të fituara njëri pas tjetrit.

Ndeshja u luajt në kushte të vështira atmosferike, me temperatura mbi 40 gradë Celsius, duke detyruar organizatorët të mbyllin çatinë e “Rod Laver Arena” pas përfundimit të takimit.

Pas ndeshjes, Sabalenka theksoi se mentaliteti i saj është i qartë: çdo turne ka vetëm një objektiv, fitimin e trofeut.

Në gjysmëfinale, ajo do të përballet me fituesen e duelit mes Coco Gauff dhe Elina Svitolina, ndërsa mbetet favoritja kryesore për të fituar sërish titullin në Australi.