“NXEHEN” GOMAT E F1 2026! McLaren dhe Red Bull prezantojnë makinat e reja për testimet

McLaren dhe Red Bull kanë publikuar pamjet e para të makinave të tyre për sezonin 2026 të Formula 1. Testimet parasezonale kanë nisur në Spanjë, në një seancë private pa akses për mediat. Red Bull prezantoi makinën e parë me motorin e ri të zhvilluar bashkë me Fordin, ndërsa McLaren po përdor një ngjyrim të përkohshëm për testimet.

Skuadrat e Formula 1 kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin 2026 me testimet parasezonale në pistën e Barcelonës. McLaren dhe Red Bull janë ndër ekipet e para që kanë publikuar imazhet e makinave të tyre të reja, duke dhënë sinjalet e para për betejën teknike të sezonit të ardhshëm.

McLaren, kampion i dyfishtë në vitin e kaluar për pilotë dhe konstruktorë, ka prezantuar makinën me një ngjyrim të veçantë, i cili do të përdoret vetëm gjatë testimeve në Spanjë.

Drejtuesit e skuadrës kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në ditën e parë të provave dhe ndoshta as në të dytën, duke preferuar të përqendrohen më shumë në zhvillimin teknik të makinës.

Nga ana tjetër, Red Bull ka publikuar imazhe të realizuara në studio, të përzgjedhura me kujdes për të mos zbuluar detaje kyçe aerodinamike.

Kjo është makina e parë e ekipit që përdor motorin e ri të ndërtuar brenda kompanisë, në bashkëpunim me partnerin e ri Ford. Ende nuk është bërë e ditur dita e parë kur makina do të dalë në pistë.

Probleme me përgatitjet po has edhe Aston Martin, që po përpiqet ta ketë makinën gati për të përfituar maksimalisht nga ditët e testimit. Williams, ndërkohë, nuk po merr pjesë në provat e Barcelonës për shkak të vonesave në ndërtimin e makinës së re.

Në këtë fazë testimi, ekipet do të publikojnë vetëm informacione të kufizuara dhe të kontrolluara zyrtarisht.

Testimet në Barcelonë pritet të japin sinjalet e para për forcat dhe dobësitë e skuadrave, përpara nisjes së sezonit të ri të Formula 1.