Vengu: Siguria nënujore fillon me profesionalizmin e polumbarëve në Pashaliman

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vlerësoi sot rolin strategjik të Qendrës Kombëtare Polumbare në Bazën Detare të Pashalimanit, duke theksuar se siguria nënujore nis nga profesionalizmi, përgatitja dhe gatishmëria e çdo detari.

Sipas ministrit Vengu, Qendra Kombëtare Polumbare ka për mision garantimin e aftësimit, gatishmërisë operacionale dhe ndërhyrjes së specializuar në operacione nënujore, përfshirë kërkim-shpëtimin, inspektimet teknike, neutralizimin e rreziqeve dhe mbështetjen e misioneve detare.

Në kuadër të këtij misioni kërkues dhe me përgjegjësi të lartë, Detari i Klasit II, Ledjon Çeloaliaj, u veçua si një shembull i përkushtimit, disiplinës dhe profesionalizmit që karakterizon brezin e ri të polumbarëve të Forcës Detare shqiptare.

“Është një punë që zhvillohet shpesh larg vëmendjes së publikut, por me rëndësi thelbësore strategjike për sigurinë detare dhe mbrojtjen e vendit,” u shpreh ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.