FOTO/ Shpëtohen 4.414 persona nga rrjeti i trafikimit të qenieve njerëzore, fëmijë dhe gra nga 119 vende të ndryshme

Interpol ka koordinuar një operacion global kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku janë shpëtuar 4,414 persona në mbarë botën. Operacioni, i quajtur “Liberterra III”, përfshiu mbi 14,000 policë nga 119 vende.

Në Mozambik, një fëmijë tetëvjeçar u shpëtua pas rrëmbimit të tij për heqje organesh.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një shtetase rumune u shpëtua në Skoci pas shfrytëzimit seksual dhe mashtrimit me premtime për punësim; dokumentet e saj të identifikimit iu konfiskuan sapo mbërriti në Dundee.

Në Spanjë, policia goditi një rrjet kriminal që përdorte sallone bukurie dhe qendra masazhi në Barcelonë dhe Marbella për trafikimin e grave, ku 21 gra kryesisht nga Kolumbia u detyruan të paguanin borxhe prej 6,000 eurosh përmes prostitucionit.

Në Kosta Rikë, u arrestua një person i njohur si “El Gordo”, i dyshuar për shfrytëzimin e vajzave të mitura. Në Kazakistan, një shërbim i rremë taksish përdorej për të detyruar viktimat në prostitucion përmes dhunës dhe kërcënimeve.

Gjithashtu, mbi 200 persona u shpëtuan në disa vende të Afrikës Perëndimore, ku viktimat thjesht josheshin me premtime të rreme për punë jashtë vendit.

Interpol nënvizoi se operacioni përfshiu bashkëpunim ndërkombëtar të ngushtë dhe synoi goditjen e rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë më së shumti fëmijë dhe gra të pafajshëm.