Patatja dhe gruri në magazinë, prodhimi vendas në krizë, fermerët ankohen!

Nga njëra anë mungesa e prodhimit vendas dhe nga ana tjetër paradoksi: kur ka prodhim malli nuk shitet.

Çfarë roli ka shteti?

Patatja dhe gruri mbeten ndër kulturat kryesore të prodhuara nga fermerët e fshatit Pojan, ndërsa çmimet e ulëta dhe vështirësitë në shitje po rëndojnë ndjeshëm të ardhurat e tyre.

Edhe këtë sezon veror, fermerët kanë vijuar me intensitet mbjelljet bujqësore dhe një pjesë e mirë e prodhimit është siguruar e nxjerrë në treg, duke u shitur si në tregjet lokale, ashtu edhe për tregtarë nga zona të tjera.

Megjithatë, pavarësisht sasisë dhe cilësisë së prodhimit, ata përballen me vështirësi të mëdha në shitje, për shkak të çmimeve të ulëta të tregut, veçanërisht për kulturën e grurit.

“Prodhimi i grurit ka qenë i mirë këtë vit, por çmimi ka qenë i ulët. Ka ende grurë pa shitur. Gjithashtu edhe patatja,” – u shpreh për RTSH një fermer.

Fermerët theksojnë se kostot e prodhimit shpesh nuk mbulohen nga çmimi i shitjes, duke e bërë punën në bujqësi gjithnjë e më të vështirë.

“Jam i kënaqur që e shita grurin këtë vit, por çmimi është shumë i ulët sepse ne e shesim me 300 lekë. Plehrat azotike që na duhet t’i hedhim grurit janë shumë të shtrenjta,” – u shpreh një tjetër fermer.

Situata e krijuar, sipas tyre, kërkon më shumë mbështetje dhe organizim të tregut, në mënyrë që fermerët të kenë akses më të lehtë për të shitur prodhimet e tyre.