VIDEO/ PS miraton draftin për parandalimin e konfliktit të interesave në funksionet publike, Opozita bojkoton

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, nismë e deputeteve Erjona Ismaili dhe Aulona Bylykbashi.

Deputetja Aulona Bylykbashi, gjatë diskutimeve, theksoi se qëllimi i projektligjit është ndërtimi i një kuadri ligjor të qartë dhe të kuptueshëm për detyrimet ligjore të çdo zyrtari publik, jo vetëm në momentin e lidhjes së marrëdhënies së punës me institucionet publike, por gjatë gjithë ushtrimit të funksionit.

Sipas saj, nisma synon gjithashtu krijimin e instrumenteve ligjore kontrolluese dhe garantuese, me kompetenca të qarta proaktive, për të siguruar zbatimin korrekt dhe të barabartë të ligjit për të gjithë zyrtarët publikë.

Relatorja e projektligjit, deputetja Sara Mila, u shpreh se kjo nismë ligjore përfaqëson një kalim nga një qasje formale në një qasje proaktive, duke vendosur integritetin në qendër të ushtrimit të funksionit publik.

Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. Në mbledhje morën pjesë vetëm deputetët e mazhorancës.