"Rënia e E-Albania 'paralizon' trajtimet"/ Xhixho për sistemin digjital: Shëndeti nuk është aplikacion, mijëra pacientë pa ilaçe

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncon një problem të rëndë në shëndetësinë e sotme, ku qindra pacientë kronikë, me kancer dhe të moshuar mbeten pa ilaçe, për shkak të rrëzimit të sistemeve e-Albania dhe të tjerave shtetërore.

Xhixho thekson se ky nuk është problem teknik, por dështim i shtetit, duke paralajmëruar se ndërprerja e terapisë mund të ketë pasoja serioze për jetën e pacientëve.

Ajo në postimi e saj, kritikon qeverinë për “shtetin digjital” që nuk funksionon dhe për mijëra euro të shpenzuara në grupin kriminal të AKSHI-t, duke shtuar se qytetarët mbeten të pambrojtur.

“Shëndeti nuk është aplikacion, jeta e njerëzve nuk mund të varet nga propaganda dhe dështimet e një shteti që nuk mban përgjegjësi,” tha Xhixho.

Postimi i Erisa Xhixhos:

Me mijëra pacientë kanë mbetur pa ilaçe nga rënia e e-Albania-s dhe sistemeve shtetërore. Ky nuk është problem teknik, por dështim i rëndë i shtetit.
Pacientët kanë kodet nga mjekët, por recetat nuk ekzekutohen në farmaci sepse sistemi nuk hapet.
Për të sëmurët kronikë, ndërprerja e trajtimit është rrezik serioz.
Për pacientët me kancer, çdo ditë pa terapi mund të ketë pasoja të parikuperueshme.
Për moshat e treta, kjo situatë është kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën.
Është i njëjti dështim me atë të dy ditëve më parë në QSUT, e cila u zhyt në errësirë dhe kaos për më shumë se një orë, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, në alarm familjarët dhe nën presion stafin mjekësor.
Kryeministri flet “shtet digjital”, miliona euro kanë përfunduar në duart e grupit kriminal të AKSHI-t, por mjafton rënia e një sistemi që shëndetësia të paralizohet dhe qytetarët të mbeten pa mjekim.
Shëndeti nuk është aplikacion. Jeta e njerëzve nuk mund të varet nga propaganda dhe dështimet e një shteti që nuk mban përgjegjësi.