Pas dh*nës ndaj protestuesve, Iranit i mohohet pjesëmarrja në konferencën e sigurisë në Mynih

Organizatorët e Konferencës së Sigurisë në Mynih kanë njoftuar anulimin e ftesave për përfaqësues të qeverisë iraniane për edicionin e këtij viti, që mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, për shkak të represionit ndaj protestuesve në Iran, raporton agjencia France Presse.

“Para disa javësh u dërguan ftesa për disa përfaqësues të qeverisë iraniane. Në dritën e zhvillimeve aktuale, Konferenca nuk do t’i pranojë këto ftesa”, tha një zëdhënës i ngjarjes për AFP.

Protestat në Iran, të shkaktuara nga rritja e kostove të jetesës, shpërthyen më 28 dhjetor dhe u konsideruan si një nga lëvizjet më të mëdha kundër regjimit që nga themelimi i Republikës Islamike në 1979.

Sipas organizatës norvegjeze Iran Human Rights (IHR), të paktën 3,428 persona kanë humbur jetën, një shifër që konfirmohet nga burime të pavarura.

Vlerësime të tjera flasin për mbi 5,000 të vdekur, ndërsa disa raporte flasin për deri në 20,000, megjithëse mungesa e internetit e vështirëson verifikimin.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u pyet për raportimet se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ishte ftuar në konferencë.

Ai tha se, duke pasur parasysh përplasjet përgjakshme me protestuesit, pjesëmarrja e tij nuk do të ishte e përshtatshme.

Konferenca e Sigurisë në Mynih është një ngjarje vjetore e rëndësishme në kalendarin diplomatik, që zakonisht tërheq politikanë kryesorë nga e gjithë bota.