TERRITORET QË NDAJNË ALEATËT/ Trump përplaset me aleatët për territore, baza ushtarake dhe Groenlandën

Donald Trump sulmon ashpër Britaninë për Ishujt Chagos. Presidenti amerikan e quan dorëzimin e sovranitetit “budallallëk të madh”. Menjeher ka reaguar Ministri britanik kur tha se kritikat e Trump nuk do ta ndryshojnë marrëveshjen.

Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një front të ri përplasjeje me aleatët evropianë, duke sulmuar Britaninë e Madhe për dorëzimin e sovranitetit të Ishujve Chagos dhe duke përshkallëzuar presionin për Groenlandën.

Në një postim në Truth Social, Trump e quajti marrëveshjen britanike një “budallallëk të madh”, duke paralajmëruar se Kina dhe Rusia e shohin këtë si dobësi strategjike.

“Dhënia e Diego Garcias Mauritiusit është një akt budallallëku të madh.”deklaroi presidenti amerikan.

Trump e lidhi drejtpërdrejt këtë vendim me ambicien e tij për Groenlandën, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “duhet ta kenë” ishullin për arsye sigurie.

Reagimi më i fortë evropian ka ardhur nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Trump publikoi vetë një mesazh privat, që sipas tij ishte dërguar nga Macron, ku presidenti francez shkruante:

“Miku im, jemi plotësisht dakord për Sirinë. Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin. Nuk e kuptoj çfarë po bën me Groenlandën.”

Macron e ka cilësuar publikisht si “të papranueshëm” presionin amerikan dhe ka bërë thirrje që Evropa të mbrojë sovranitetin e saj.

Në Groenlandë, autoritetet lokale kanë refuzuar çdo presion, ndërsa Danimarka dhe aleatët evropianë janë mobilizuar diplomatikisht për mbrojtjen e territorit.

Britania e Madhe, nga ana tjetër, i ka quajtur kritikat e Trump të pavlefshme, duke theksuar se marrëveshja për Ishujt Chagos është përfundimtare dhe e diktuar nga ligji ndërkombëtar.

Ndërkohë në Londër, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, u përpoq të ulë tonet, duke deklaruar se SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar do të përballen së bashku me sfidat globale.

Por nga Chagos te Groenlanda, mesazhi është i qartë: Trump po sfidon hapur rendin e aleancave tradicionale, ndërsa Macron po shfaqet si zëri kryesor evropian i kundërshtimit.