EKOSISTEMI NË ANTARKTIDË NË RREZIK/ Pinguinët në Antarktidë po avancojnë ndjeshëm sezonin e shumimit

Shumimit si pasojë e ndryshimeve klimatike, me disa specie që shumohen deri në tri javë më herët se më parë. Ky ndryshim rrezikon furnizimin me ushqim për zogjtë dhe po shton konkurrencën mes specieve, duke kërcënuar mbijetesën e tyre.

Pinguinët në Antarktidë kanë zhvendosur sezonin e tyre të shumimit, një ndryshim që studiuesit besojnë se lidhet drejtpërdrejt me ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike.

Një studim dhjetëvjeçar tregon se disa specie kanë filluar të shumohen deri në tri javë më herët se zakonisht, duke ngritur shqetësime serioze për mbijetesën e tyre.

Hulumtimi i Universitetit të Oksfordit përfshiu tri specie pinguinësh: Adélie, chinstrap dhe gentoo, me koloni që variojnë nga disa dhjetëra deri në qindra mijëra fole.

Rezultatet tregojnë se pinguinët gentoo kanë shfaqur ndryshimin më të madh, me një përparim mesatar prej 13 ditësh në dekadë dhe deri në 24 ditë në disa koloni.

Pinguinët Adélie dhe chinstrap kanë avancuar sezonin e shumimit mesatarisht me rreth 10 ditë.

Ekziston rreziku që ata të lindin zogjtë në një kohë kur ushqimi ende nuk është i disponueshëm.

Kjo mospërputhje mes kohës së shumimit dhe pranisë së ushqimit, si krilli apo peshqit, mund të jetë fatale për zogjtë e sapolindur.

Edhe nëse pinguinët arrijnë të përshtaten përkohësisht, studiuesit dyshojnë se kjo nuk mund të vazhdojë për shumë gjatë.

Ndryshimet po ashtu pritet të rrisin konkurrencën mes specieve. Pinguinët gentoo, të cilët janë më të adaptueshëm dhe ushqehen si me krill ashtu edhe me peshq, po përfitojnë nga kushtet më të buta klimatike dhe po zgjerojnë kolonitë e tyre.

Zhvendosja e periudhave të shumimit mund të çojë edhe në konflikte për hapësirë dhe vende folezimi.

Tradicionalisht, këto specie kanë bashkëjetuar falë një kalendari të ndryshëm riprodhimi, por kjo ekuilibër po prishet.

Shkencëtarët theksojnë se pinguinët janë thelbësorë për ekosistemin e Antarktidës, pasi luajnë rol kyç në zinxhirin ushqimor dhe në qarkullimin e lëndëve ushqyese.

Humbja e disa specieve mund të rrezikojë seriozisht qëndrueshmërinë e gjithë ekosistemit antarktik.