ANGLIA TË BOJKOTOJË KUPËN E BOTËS/ Propozimi nga ligjvënës britanik pas presionit të SHBA për Groenlandën
Një ligjvënës britanik propozon bojkotimin e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut. Shkak janë ambiciet e Donald Trump për Grenlandën dhe presioni ndaj aleatëve. Ekspertët flasin për “rezistencë të butë” dhe përçarje në marrëdhëniet transatlantike.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë po reflektohen tashmë edhe në sport.
Në Londër, një ligjvënës britanik ka hedhur idenë e bojkotimit të Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, si reagim ndaj qëndrimeve të presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën.
Deputeti konservator Simon Hoare akuzoi Trumpin për mungesë respekti ndaj aleatëve dhe sugjeroi masa simbolike që, sipas tij, do ta “turpëronin” presidentin amerikan, përfshirë anulimin e vizitës shtetërore të Mbretit Charles dhe bojkotin e Botërorit. Ideja u mbështet edhe nga deputetë të tjerë, por qeveria britanike u distancua menjëherë.
Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper theksoi se Londra do të vijojë rrugën e diplomacisë dhe bashkëpunimit me Uashingtonin. Në qendër të debatit është Groenlanda, territor autonom nën Mbretërinë e Danimarkës, që Trump e ka quajtur “jetike” për sigurinë amerikane.
Në ishull, reagimet janë të forta. Qeveria lokale ka refuzuar çdo presion, ndërsa protesta masive kanë shpërthyer në kryeqytetin Nuk.
Autoritetet daneze e quajnë rritjen e pranisë ushtarake një veprim simbolik, por pranojnë se situata mbetet delikate.
Ndërkohë, edhe brenda FIFA-s ka shqetësim për politizimin e Kupës së Botës, pas përfshirjes së drejtpërdrejtë të Donald Trump në aktivitetet zyrtare të organizimit. Propozimi për bojkot ka pak gjasa të zbatohet, por është një sinjal i qartë zemërimi. Një formë “rezistence e butë”, që tregon se marrëdhëniet transatlantike nuk janë më si më parë. Nga diplomacia te sporti, kriza për Groenlandën po hap një kapitull të ri tensioni mes aleatëve historikë. Dhe për herë të parë, edhe futbolli po rrezikon të kthehet në fushëbetejë politike.
