Snajperë dhe mitr*lozë/ Protestuesit iranian japin dëshmitë tronditëse, mjekët zbulojnë përmasat e vërteta të dh*nës

Dëshmi tronditëse nga terreni në Iran 'hedhin' dritë mbi përmasat e represionit të ushtruar nga regjimi gjatë protestave masive që kanë përfshirë vendin.

Sipas një raporti të publikuar nga Sunday Times, i bazuar në një rrjet mjekësh që veprojnë në terren, të paktën 16,500 deri në 18,000 protestues janë vrarë, ndërsa 330,000-360,000 persona janë plagosur.

Shumica dërrmuese e viktimave janë të rinj nën moshën 30 vjeç.

Mjekët raportojnë se forcat e sigurisë kanë përdorur municione të vërteta, snajperë të vendosur në çati, mitralozë të montuar në automjete, si dhe të shtëna të qëllimshme në kokë, qafë dhe gjoks.

Të paktën 700-1,000 persona kanë humbur një sy, ndërsa vetëm një klinikë oftalmologjike në Teheran ka dokumentuar rreth 7 mijë raste me dëmtime serioze në sy.

Burime të tjera flasin për deri në 8 mijë persona të verbuar në mbarë vendin.

Raportohet gjithashtu se shumë të plagosur kanë humbur jetën për shkak të mungesës së transfuzioneve të gjakut, të cilat në disa raste janë ndaluar nga forcat e sigurisë.

Dëshmitarët flasin për persona të plagosur që janë rrëmbyer nga sallat e operacionit dhe arrestuar.

Në qytete të ndryshme, dëshmitarë okularë përshkruajnë snajperë që qëllonin nga çatitë, forca të IRGC-së dhe milicia Basij që patrullonin me armë të rënda, si dhe trupa të viktimave që mblidheshin nga rrugët dhe varroseshin fshehurazi.

Familjeve u janë kërkuar shuma të mëdha parash për të marrë trupat e të afërmve.

Ndërprerja totale e internetit dhe komunikimeve për më shumë se dhjetë ditë ka lënë dhjetëra mijëra familje pa asnjë informacion për fatin e të afërmve.

Mjekët kanë komunikuar fshehurazi përmes Starlink, duke rrezikuar jetën e tyre.

Profesori Amir Parasta, kirurg okulist iraniano-gjerman, e ka cilësuar situatën si “një nivel krejt të ri brutaliteti”, duke theksuar se këtë herë po përdoren armë ushtarake dhe plumba të vërtetë, ndryshe nga protestat e vitit 2022.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem Ali Khamenei ka pranuar për herë të parë se “disa mijëra persona janë vrarë”, por ka fajësuar protestuesit, duke i quajtur “instrumente të huaja”, një narrativë që bie ndesh me dëshmitë nga terreni.

Protestat, të udhëhequra kryesisht nga Gjenerata Z, janë përhapur në të gjitha 31 provincat e Iranit, të nxitura nga kriza ekonomike, represioni politik dhe kufizimet ndaj grave.

Analistët vlerësojnë se, pavarësisht qetësisë së përkohshme, frika është thyer dhe ndryshimi shoqëror është i pashmangshëm.