PD-PS PËRPLASEN NË KONFERENCËN E KRYETARËVE/ Balla: Zgjedhorja dhe Territorialja s’mund të bllokohen!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe realizimin e reformës territoriale.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Balla i bëri thirrje opozitës që të fokusohet te puna parlamentare për përmbylljen e dy reformave të rëndësishme, duke theksuar se “revolucionet” e shpallura prej saj nuk do të ndodhin.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një ndarje administrativo-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër që kërkon procesi”, u shpreh Balla.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai theksoi se reformat nuk mund të bllokohen, duke kujtuar marrëveshjen e arritur në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve përkatëse.

“Nëse sot tërhiqeni nga komisionet, kjo përbën shkelje të njëanshme të marrëveshjes. Ne do të detyrohemi të vijojmë punën edhe pa ju”, tha Balla.

Ai theksoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, duke vënë theks të veçantë te depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore.

PD-PS PËRPLASEN NË KONFERENCËN E KRYETARËVE/ Balla:

“Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE, ku partitë jo vetëm garojnë, por edhe numërojnë votat”, u shpreh Balla.

Sipas tij, është e domosdoshme që procesi i numërimit dhe shpalljes së rezultateve zgjedhore të përshpejtohet, duke mos përjashtuar mundësinë që numërimi të kryhet drejtpërdrejt në qendrat e votimit.

Balla nënvizoi se koha nuk pret më, si për sa i përket komisioneve zgjedhore partiake, ashtu edhe për vonesat në nxjerrjen e rezultateve, sidomos në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Ai kujtoi se reforma zgjedhore kërkon të paktën 84 vota në Kuvend, ndërsa mazhoranca, sipas tij, synon një reformë më të thellë, që përfshin edhe reduktimin e numrit të deputetëve në 100 ose 101.

Në reagim ndaj pretendimeve të opozitës për kufizim të së drejtës së fjalës, Balla theksoi se të dhënat nga sesioni i kaluar tregojnë të kundërtën.

“Opozita ka pasur 48 orë diskutime në seancë plenare, ndërsa shumica bashkë me qeverinë 40 orë”, përfundoi ai.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu në fjalën e saj në Konferencën e Kryetarëve u ndal te çështjet që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.

“Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt, i cili vendosi në shënjestër familjarë të kryetarit të grupit parlamentar të PS. Mediet të cilat i servirën këto lajme, edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Është e paparanueshme ajo që ndodhi. Duhen gjetur mekanizmat që raste të tilla si ky të marrin përgjegjësitë qoftë edhe penale personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla”, tha Spahiu.

DEBATET NË KONFERENCËN E KRYETARËVE

Taulant Balla: Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës, Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur.

Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.

Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithcka tjetër.

por duhet ta fiksoni mirë në mendje se  ju nuk mund te bllokoni reformat. Kemi bere nje marreveshje ne sesionin e kaluar per ngritjen e komisioneve. Nese ju sot thoni terhiqeni nga komisionet kjo eshte shkelje e marreveshjes ne menyre te njeanshme. Ne do te drtyrohemi te vazhdojme punen dhe pa ju.

Komisioni i Posacëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.

Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në oakkatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.

Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.

Degjova zotin Gjekmarkaj se opozites i eshte mohuar e drejta e fjales. Ka nje indikator shume domethenes nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marre 48 ore diskutime, shumica bashke me Qeverine 40 ore diskutime ne seance plenare.

Ina Zhupa: Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.

Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?

Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.

S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës.

Agron Gjekmarkaj: Ju Zoti Kryetar na uruat vitin e ri dhe une ju uroj vit te mbare secilit ne plan personal po ketu nuk si perfaqesues te vetes dhe te shtepive tone por te qytetarve te cilet shohin nje parlament te bllokuar! Viti nuk ka filluar mbare, sepse viti tjeter mbaroi keq!

Kater muajt nga shtatori ne dhjetor kane qene muajt me te shemtuar te parlamentarizmit, dhunim i rregullores, dhunim i opozites, ne 11 seanca vetem nje a dy here kemi bere debat normal, sepse keni patur frike nga fjala e opozites te perfshire nga skandalet tuaja!

Qe te kemi vit te mbare duhet qe drejtesia te mos merret peng, qe viti mos tw filloje me hungerima, perçatrje  e çjerrje se si donti tregoni vendin opozites! Ju them mos guxoni! Do ta keni perballe Opoziten ne Kuvend dhe sheshet e shqiperise!

Mqs zoti Balla ju referuar raportit te  osbe  odir i them se ai raport jua rrezoi zgjedhjet e vjedhura te 11 Majit, ato dy te tretat qe ju thoni! Zoti Balla foli per nje Shqiperi qe nuk ekziston , foli per  vizione, duke shmangur ate qw Shqiperia reale pret te degjoje, ate qe qytetaret duan, denimin e korrupsionit cfare keni per te thene per , drejtesine e marre peng me dhune nga mazhoranca, per sekserin  a taksidarin e republikes qe ta ka pushuar nga puna edhe ty si minister a ndonje tjeter ketu!

Hakmarrja e drejtesise jo “hakmarrja per drejtesi” do te bjere mbi ju, nga brenda nga jashte , este dialektike nuk i shmangeni dot.

Klodiana Spahiu: Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotesisht të pavërtetë dhe pa asnje fakt te cilat vendosen ne shenjestër familjare të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS. Mediat të cilat i servirën këto lajme edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Është e paparanueshme ajo që ndodhi. Duhen gjetur mekanizmat që raste të tilla si ky të marrin përgjegjësitë qoftë edhe penale personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla.

Jorida Tabaku: Sesioni i ri parlamentar u hap me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, ngriti akuza të forta ndaj mazhorancës për shkelje të rregullave parlamentare, përjashtim të opozitës dhe deformim të procesit të integrimit europian.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se agjenda e integrimit europian nuk mund të trajtohet si një proces formal dhe i njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë ligje të gatshme. Sipas saj, agjenda legjislative e integrimit duhet të ndahet paraprakisht me opozitën dhe të shoqërohet me konsultim real e debat parlamentar. Ajo kujtoi se në sesionin e kaluar dhjetëra ligje u paraqitën dhe u kërkua të votoheshin me shpejtësi, pa diskutim dhe pa proces normal. “Nuk mund të shkelim rregulloren për asgjë, as në emër të integrimit”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu mosrespektimin sistematik të të drejtave të opozitës, duke theksuar se edhe në raportimet zyrtare të mazhorancës për integrimin europian parashikohen seanca dëgjimore, komisione hetimore, interpelanca dhe pyetje parlamentare, por këto mbeten vetëm në letër. “Këto nuk janë fjalë politike, janë të drejta kushtetuese të opozitës. Është viti i katërt radhazi që përfshihen në kalendar dhe nuk zbatohen”, deklaroi ajo, duke e cilësuar të patolerueshme kufizimin e hapësirës së opozitës dhe paralizimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Tabaku u ndal edhe te raporti i Kuvendit me drejtësinë, duke e cilësuar mbylljen e sesionit të kaluar si një shembull shumë të keq institucional. Ajo përmendi rastet kur mazhoranca, sipas saj, është bërë mburojë politike për të penguar zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë vendime të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tabakut, fakti që sesioni i kaluar u mbyll pa u diskutuar mandati i zëvendëskryeministrit tregon qartë mënyrën se si shumica socialiste po e trajton drejtësinë. Ajo kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me rikthimin e rregullit përmes mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.

Në vijim, deputetja theksoi se nuk është rastësi që edhe vetë qeveria po zbulon se sa vite larg jemi nga një proces real integrimi europian. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë të ndërmjetme, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk është pengesë, por kusht për cilësi. “Nxitimi i shumicës për të votuar çdo ligj të qeverisë ‘shkel e shko’ ka kosto për buxhetin dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.

Tabaku nënvizoi se kjo qasje tregon sa keq funksionon Kuvendi kur drejtohet nga shumica socialiste. Sipas saj, një parlament normal do të diskutonte ligjet në mënyrë të rregullt, transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa një Kuvend që sillet si noter i çdo ligji të qeverisë dëmton interesin publik. “Integrimi europian nuk është numër ligjesh të votuara me shpejtësi, por cilësi ligjesh, respekt i procedurave dhe funksionim real i demokracisë parlamentare”, përfundoi Tabaku.