Berisha: Gjykata Kushtetuese, seksion i PS-së! Operacioni i SPAK për Call Center-at u dekonspirua

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për arrestin e tij shtëpiak, nuk është shfuqizuar akoma.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, jashtë dyerve të SPAK, pasi kreu i PD-së u paraqit ditën e sotme në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GjKKO-së, Berisha tha se “Gjykata Kushtetuese atë çështje e trajtoi pas tetë muajve paraqitje”.

“Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partia, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar”, tha Berisha.

Sipas Berishës, GjK nuk e shfuqizoi vendimin ndaj tij, duke pretenduar se nuk është në fuqi.

“Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe që kanë pasoja.Por, pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat. Plus pasojat e tjera. Ja pra, besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja”, vijoi ai.

I pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, Berisha u shpreh se janë “1 miliard euro për Bordin e Paqes të Gazës”, teksa shtoi se “asgjë nuk e shpëton Ramën nga rrokullima e madhe”.

Operacioni i SPAK

Berisha jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi për gazetarët se operacioni i SPAK ndaj një kollsentri në Tiranë u dekonspirua.

“Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë. Janë dyqind sipërmarrje, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe kollsentri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim”, tha Berisha.

Berisha pohoi se kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë.

“Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera.

Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se agjentët e BKH-së u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, pasi kanë të gjitha fotot dhe videot e dokumentet për veprimtarinë.

“Ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën, sepse kishin hequr të gjithë kompjuterat, çka vërteton edhe një herë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet. Është më keq se narkoshtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. E pamundur të sosësh një hetim”, tha Berisha.