Dyshime se është ekz*kutuar në burg, fati i protestuesit iranian Erfan Soltani mbetet i panjohur

Katër ditë pas datës së planifikuar të ekzekutimit të tij, dhe pavarësisht deklaratave zyrtare nga Ministria e Jashtme e Iranit se dënimi ishte shtyrë, fati i protestuesit iranian Erfan Soltani mbetet i panjohur. Rasti i tij ishte kthyer në një mjet presioni politik nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj regjimit iranian.

Gjatë orëve të fundit, media izraelite, duke iu referuar burimeve brenda Teheranit, raportojnë se Soltani mund të jetë i vdekur. Fillimisht u raportua se autoritetet iraniane kishin shpërfillur ultimatumin e Trump dhe kishin ekzekutuar Soltanin në burg. Më pas, televizioni izraelit i24news publikoi informacione sipas të cilave protestuesi është rrahur për vdekje brenda qelisë së tij.

Në këtë kontekst, gazetarja izraelite Emily Schrader publikoi një video ku një përfaqësues i një organizate humanitare, në kontakt me familjen e Soltanit dhe që ndodhet jashtë Iranit, përcjell thirrjen e familjarëve për prova të menjëhershme dhe të besueshme se ai është gjallë.

Sipas dëshmive të familjes, autoritetet iraniane nuk japin asnjë informacion për vendndodhjen e Soltanit, gjë që forcon dyshimet se ai mund të ketë humbur jetën. Ndërkohë, Irani nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar lidhur me këto raportime, ndërsa thashethemet dhe rrjedhjet e informacionit po shtohen.

Duke qenë se Donald Trump është përfshirë personalisht në këtë çështje dhe ka rritur presionin ndaj Teheranit javën e kaluar, bazuar pikërisht te rasti Soltani, burime diplomatike nuk përjashtojnë mundësinë që Uashingtoni të kërkojë prova zyrtare për jetën e tij përmes kanaleve diplomatike, direkte ose përmes palëve të treta. Nuk përjashtohet gjithashtu që Trump ta ngrejë publikisht çështjen në ditët në vijim, në një periudhë kur në Gjirin Persik pritet edhe mbërritja e aeroplanmbajtëses amerikane “Lincoln”.

Nga ana e tij, Irani, përmes burimeve jozyrtare, ka lënë të kuptohet se “nuk është rastësi” që raportimet po publikohen nga media izraelite, por pa dhënë asnjë informacion konkret mbi fatin e protestuesit. Erfan Soltani është kthyer në një simbol të rezistencës në Iran, duke u konsideruar si një nga figurat kyçe të protestave më të mëdha që nga rasti i Mahsa Amini në vitin 2019.