Protesta në Groenlandë dhe Danimarkë kundër planit amerikan
Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve aleate, të cilat kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës, ka shkaktuar reagime të forta nga liderët europianë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi këtë veprim si “krejtësisht të gabuar”, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron e quajti atë “të papranueshëm”.
Reagimet erdhën pasi Trump njoftoi se nga 1 shkurti do të vendoset një tarifë prej 10% për mallrat që importohen në SHBA nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, tarifë e cila mund të rritet deri në 25% në muajt në vijim dhe të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti amerikan këmbëngul se Groenlanda, territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe nuk ka përjashtuar as mundësinë e përdorimit të forcës për ta marrë atë.
Pas këtyre deklaratave, Bashkimi Europian thirri një mbledhje urgjente në Bruksel, ku ambasadorët e 27 vendeve anëtare diskutuan pasojat e kërcënimeve amerikane dhe mundësitë për një përgjigje të përbashkët. Paralelisht, mijëra qytetarë dolën në protesta në Groenlandë dhe Danimarkë, duke kundërshtuar planet e SHBA-së për marrjen e territorit.
Vendet europiane janë rreshtuar hapur në mbështetje të Danimarkës, duke theksuar se siguria e rajonit Arktik duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e NATO-s. Disa prej tyre, përfshirë Francën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar një numër të kufizuar trupash në Groenlandë në kuadër të një misioni vëzhgues.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se integriteti territorial dhe sovraniteti janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se tarifat do të dëmtonin seriozisht marrëdhëniet transatlantike dhe mund të çonin në një përshkallëzim të rrezikshëm.
Sondazhet tregojnë se rreth 85% e popullsisë së Groenlandës kundërshton bashkimin me SHBA-në.
Tarifat e paralajmëruara nga Trump përfaqësojnë një përshkallëzim të ndjeshëm të përpjekjeve të tij për të ushtruar presion mbi aleatët perëndimorë, duke vënë në provë unitetin e NATO-s dhe marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian.
