Aksidenti ajror në Indonezinë Jugore/ Gjenden mbetjet e avionit të zhdukur me 11 persona në bord
Autoritetet indoneziane kanë gjetur mbetjet e një avioni që ishte zhdukur nga radarët një ditë më parë, me 11 persona në bord.
Avioni, tip ATR 42-500, operohej nga Indonesia Air Transport dhe po udhëtonte nga Yogyakarta drejt Makassarit, në provincën Sulawesi Jugor.
Kontakti me avionin u humb të shtunën në zonën e Maros, ndërsa të dielën u identifikua vendi i rrëzimit në malin Bulusaraung.
Pas lokalizimit të zonës, Forcat Ajrore të Indonezisë kanë dërguar menjëherë ekipe speciale kërkim-shpëtimi me helikopter.
Në terren janë dislokuar pjesëtarë të forcave të reagimit të shpejtë (Korpasgat) dhe të Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit (Basarnas).
Ekipet kanë nisur përgatitjet për evakuim, ndërsa kërkimet vazhdojnë edhe nga toka, në bashkëpunim me komunitetin lokal, për shkak të terrenit të vështirë malor.
Në avion ndodheshin 8 anëtarë ekuipazhi dhe 3 pasagjerë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar për gjendjen e personave në bord apo për shkaqet e rrëzimit, ndërsa hetimet janë në vijim.
