Alarm ushqimor/ “ELKA” hedh në treg makarona me insekte. Shqiptarët i konsumuan “ELKA” hesht
Një produkt i rrezikshëm dhe i pasigurt për konsumatorin ka hyrë në tregun shqiptar.
Më konkretisht “Makaronat Tortiglioni Barreti 500 gr” të importuara nga Greqia janë gjetur të kontaminuara me insekte . Te ky produkt është konstatuar prania e insekteve Miellngrënësi i Surinamës dhe Kalandra e grurit.
Miellngrënësi i Surinamit është një insekt që ndot ushqimin me feçe, lëkurë të hedhur dhe vezë, duke e bërë produktin të papërshtatshëm për konsum.
Nderkohë kalandra e grurit është edhe më problematike: ajo zhvillohet brenda kokrrës së grurit, duke e shkatërruar atë nga brenda para se të përpunohet në ushqim. Prania e saj në makarona tregon se gruri mund te ketë qenë i infektuar në magazinim ose në origjinë.
Konsumimi i këtij produkti mund të shkaktojë alergji, probleme gastrointestinale dhe kontaminim bakterial, veçanërisht te fëmijët dhe personat me imunitet të dobët.
Kanë qenë kontrollet e AKU në terren që kanë konstatuar hedhjen në treg të makaronave me insekte. Tv Ora News iu drejtua me një kërkesë për informacion AKU, ku na u bë me dije se sasia e makaronave me insekte e importoar në vendin tonë eshtë 3780 copë më peshë 500 g për pako.
Sasia e produktit të shitur është 2.742 copë dhe sasia e makaronave të bllokuara është1038 copë. Tv Ora news i ka kerkuar AKU që të informojë qytetarët se cila ështe kompania që ka importuar këtë produkt.
Ky institucion në mënyrë të përsëritur refuzon të bëjë transparenc me median dhe publikun , dhe në kundershtim me ligjin për të drejtën e informimit fsheh subjektin qe ka importuar dhe tregtuar makaronat me insekte.
Burime për televizionin Ora News bëjnë me dije se subjekti që ka hedhur ne treg këte produkt është “ELKA”.
Në respekt të detyrimit profesional për të informuar publikun në mënyrë të saktë i jemi drejtuar me një kërkese për informacion subjektit “ELKA”. Kjo kompani nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës tonë për informacion.
Sipas të dhënave zyrtare sasia 2742 pako makarona me insekte është shitur në qytetin e Durresit.
Ky rast është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë ushqimore dhe një test i dështuar i transparencës institucionale.
Sepse kur insektet futen në makarona, problemi nuk është në pjatë , por është në gjithë zinxhirin që duhej ta kishte ndaluar këtë produkt shumë më herët.
