Qeveria barazon çmimet e referencës për fshatin me qytetin/ Rriten taksat e ndërtesës dhe infrastrukturës në të gjithë vendin
Qeveria po rishikon për herë të dytë projektvendimin për çmimet e referencës së ndërtesave për banim në rrethe, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm fiskal për zonat rurale. Për herë të parë, të gjitha zonat rurale të Shqipërisë do të përfshihen në hartën e çmimeve të referencës, sipas ndarjes territoriale qytet/fshat.
Sipas projektvendimit të ri, çmimet e referencës për zonat rurale propozohet të jenë të njëjta me çmimet aktuale të referencës që aplikohen sot për qytetet. Kjo do të thotë se bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë ulje deri në 35% për fshatrat, siç parashikohej nga VKM nr. 132 e vitit 2018.
Me rishikimin e fundit, harta e çmimeve të referencës do të ndahet gjithsej në 176 zona, nga 67 që janë aktualisht në fuqi. Zonat e reja që shtohen janë kryesisht rurale, të cilat do të kenë çmime fiskale të barabarta me ato të qyteteve përkatëse. Ndryshimet e propozuara pritet të miratohen së shpejti nga qeveria.
Rritje të ndjeshme parashikohen në zonat bregdetare, ku çmimet e referencës do të diferencohen sipas zonave kadastrale. Në Durrës, për shembull, qyteti ndahet në 13 zona me çmime që variojnë nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror. Ndërkohë, zonat rurale të Bashkisë Durrës do të kenë çmim reference 67,500 lekë/m², i njëjtë me çmimin aktual të qytetit, duke përfshirë edhe zonat pas vijës bregdetare të Gjirit të Lalzit dhe Hamallajt.
E njëjta logjikë do të aplikohet edhe në Vlorë, Sarandë, Himarë dhe zona të tjera turistike, ku fshatrat përreth do të kenë çmime reference të barabarta me ato të qyteteve.
Rritja e çmimeve të referencës do të sjellë automatikisht rritje të detyrimeve për taksën e ndërtesës dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, si për individët ashtu edhe për bizneset. Ministria e Financave parashikon që nga këto ndryshime të arkëtojë rreth 2.6 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Gjithashtu, procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në rrethe do të kryhet mbi bazën e çmimeve të reja të referencës, si për vlerësimet nga ekspertët, ashtu edhe për ato që realizohen pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Ndryshimet pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve, veçanërisht në zonat rurale, të cilat deri më tani përfitonin nga çmime reference më të ulëta.
