RRITJA EKONOMIKE 3.5% NË 2026/ Ekspertët kërkojnë model të ri zhvillimi! BB: Shqipëria mbi mesataren rajonale

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike 3.5% për Shqipërinë në vitin 2026, duke e renditur mbi shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por ekspertët suigjerojnë  ndryshim të modelit ekonomik në mënyrë që rritja ekonomike të përkthehet në mirëqenie

Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike për vitin 2026 të jetë 3.5%, duke e pozicionuar Shqipërinë mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Parashikimi mbetet i pandryshuar krahasuar me raportin e vjeshtës, sinjal ky i qëndrueshmërisë ekonomike.

Sipas ekspertit Elvin Meka kjo normë rritjeje është brenda pritshmërive të FMN dhe BSh, por sërish e mbështetur në të njëjtët motorë.

Meka nënvizon se mungon një model i ri zhvillimi dhe nuk ka shenja të riindustrializimit të ekonomisë.

Sipas tij, rritja 3.5% është rritje optimale për modelin aktual ekonomik, por jo e mjaftueshme për të prodhuar mirëqenie.

Në fund Meka paralajmëron se asnjë ekonomi nuk është imune ndaj krizave të ardhshme, ndaj politikat që forcojnë sektorë të qëndrueshëm dhe zhvillimin industrial janë të domosdoshme.

Në krahasim në rajonin ekonomitë e Ballkanit Perëndimor shfaqin ecuri të ndryshme. Kosova vendi që pritet të udhëheqë rritjen ekonomike me 3.8 për qind.

Me Shqipërinë e pozicionuar e dyta, lista vazhdon me Serbinë që parashikohet të ketë një rritje ekonomike në nivelin 3 për qind. Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë dy shtet që pritet të kenë rritjen më të ulët ekonomike.