Trump rikthen idenë për “blerjen” e Groenlandës, Moska: Nuk planifikojmë sulme për aq kohë sa nuk cënohet...
Ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, ka akuzuar NATO-n se po përpiqet të militarizojë Arktikun, në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm për shkak të interesave strategjike të fuqive të mëdha.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Barbin deklaroi se vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Danimarkën, po përdorin kërcënimin e perceptuar nga Rusia dhe Kina për të justifikuar zgjerimin e pranisë së tyre ushtarake në Arktik.
Ambasadori rus kritikoi Kopenhagenin për atë që e quajti një qasje konfrontuese, duke përfshirë NATO-n dhe duke përshkallëzuar tensionet ushtarake në rajon.
“Rusia nuk po planifikon sulme ndaj fqinjëve të saj në Arktik, nuk po i kërcënon ata me veprime ushtarake dhe nuk ka synim të pushtojë territoret e tyre”, tha Barbin, duke iu referuar në mënyrë indirekte deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump.
Megjithatë, Moska ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë shpërfilljen e interesave të saj në Arktik. Rusia, e cila ka një vijë të gjatë bregdetare në Oqeanin Arktik, e konsideron këtë rajon pjesë të sferës së saj të ndikimit dhe ka shtuar përdorimin e korridoreve detare si dhe praninë ushtarake.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka rikthyer kërkesën që Uashingtoni të “blejë” Groenlandën, territor autonom i Danimarkës, duke e justifikuar me arsye të sigurisë kombëtare dhe duke përmendur rreziqet nga prania e Kinës dhe Rusisë. Trump nuk ka përjashtuar as mundësinë e veprimit ushtarak.
Pas bisedimeve të pasuksesshme në Uashington javën e kaluar, disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, njoftuan se do të dërgojnë trupa në Groenlandë në kuadër të një misioni për të mbështetur Danimarkën.
