Skema e BE-së “Gatishmëria 2030”/ Shpërndahen fonde për tetë shtetet e anëtare, ja sa do të përfitojnë...
Bashkimi Evropian po fillon shpërndarjen e fondeve për mbrojtje për tetë shtete anëtare në kuadër të skemës SAFE (Veprimi për Sigurinë në Evropë), pjesë e paketës së madhe “Gatishmëria 2030”.
Skema synon të injektojë qindra miliarda euro në mbrojtje para fundit të dekadës, për të përmirësuar gatishmërinë e shteteve anëtare përballë kërcënimeve, përfshirë mundësinë e një sulmi nga Rusia ndaj një vendi evropian.
Tetë vendet që përfitojnë tani janë Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Spanja, Kroacia, Qiproja, Portugalia dhe Rumania, të cilat do të marrin së bashku rreth 38 miliardë euro nga kredia e re prej 150 miliardë eurosh.
Financimi do të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes, si municione, raketa, dronë, sisteme anti-dronë, mbrojtje ajrore, siguri kibernetike, teknologji inteligjence artificiale dhe sisteme të luftës elektronike.
Një kusht i rëndësishëm i skemës është që pajisjet e blera të prodhohen kryesisht në Evropë, me jo më shumë se 35% të komponentëve nga jashtë BE-së, EEA-EFTA ose Ukraina.
Kanadaja gjithashtu mund të marrë pjesë në të njëjtin nivel përmes një marrëveshjeje dypalëshe me bllokun.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është urgjente miratimi i planeve nga Këshilli i BE-së për të mundësuar shpërndarjen e shpejtë të fondeve.
Pagesat e para priten të bëhen në mars 2026, ndërsa Komisioni do të shqyrtojë planet e mbetura të 11 shteteve anëtare.
Skema SAFE konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme të BE-së për rritjen e mbrojtjes dhe prodhimit evropian të pajisjeve ushtarake, duke synuar të përforcojë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Evropës.
