VIDEO/ Mjekja: Vaksinimi antigrip, mjeti kryesor në parandalimin dhe trajtimin e hershëm të virozave

Rënia e temperaturave dhe moti i ftohtë gjatë dimrit janë faktorë që çojnë në shtim të rasteve me virozat e stinës këtë periudhë.

Mjekët infeksionistë apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht tek fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duke theksuar se vaksina është mjeti kryesor për parandalimin dhe trajtimin e hershëm të virozave.

Dr. Esi Duka, mjeke infeksioniste pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” jep këshilla mbi kujdesin gjatë periudhës së virozave dhe rëndësinë e kryerjes së vaksinës antigrip për grupet e riskut.

“Duke qenë se periudha e ftohtë e vitit shoqërohet me virozat dhe gripin, kemi një shtim të numrit të rasteve që mund të jenë me sindroma gripale të shoqëruara edhe me komplikacione qoftë encefalite, prekje të sistemit nervor si meningite apo forma të rënda të pneumonisë që manifestohen këtë periudhë”, tha Duka.

Sipas Dukës, një pjesë e pacientëve paraqiten fillimisht në farmaci duke marrë medikamente pa u konsultuar me mjekun e familjes dhe këto janë subjekte që paraqiten edhe në forma më të rënduara.

Dr. Duka thekson se këta individë duke marrë mjekim pa u konsultuar me një mjek ato paraqiten edhe në forma më të rënda që shkojnë deri në shtrim në spital.

“Vaksinimi është shumë i rëndësishëm për të gjitha grupmoshat aq më tepër për të sëmurët që vuajnë nga sëmundjet kronike që mund të jenë hipertensioni arterial, diabeti, apo sëmundshmëri të tjera kronike. Vaksinimi mund të bëhet në çdo kohë nëse pacienti nuk ka paraqitur simptoma si temperaturë apo rrufë”, tha Duka.

Mjekja infeksioniste pranë QSUNT-së pohoi se kontakti i parë duhet me mjekun e familjes dhe çdo medikament apo çdo këshillë e mundshme duhet të merret nga mjeku, i cili në varës të problematikave apo komplikacioneve që bën pacienti do të referohet në shërbimet më të specializuara siç është edhe shërbimi në Spitalin Infektiv.

Mjekët infeksionistë këshillojnë që në rast pacientët shfaqin simptoma të virozave stinore, të pushojnë mjaftueshëm, të konsumojnë lëngje në sasi të bollshme dhe ushqime të lehta dhe të shmangin ambientet e mbyllura ose të mbipopulluara me njerëz.