VIDEO/ Histori suksesi në Onkohematologjinë Pediatrike, e mitura fiton betejën ndaj sëmundjes
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përcolli sot një histori triumfi të një pacienteje në shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike.
Pacientja me inicialet S.K shënoi gongun e triumfit pas përfundimit me sukses të seancave të kimioterapisë në Shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike.
MSHMS njoftoi se pacientja është paraqitur për kontrollin e parë pas “off therapy”, duke shënuar një moment të rëndësishëm: triumfin ndaj sëmundjes dhe një hap të ri drejt jetës së shëndetshme.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve onkohematologë, të udhëhequr nga prof. Donjeta Bali dhe mjekja kuruese dr. Mirzana Kapllanaj.
Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike është një njësi e specializuar brenda strukturës së PAI-t Pediatrik, që merret me diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen afatgjatë të fëmijëve me sëmundje beninje dhe malinje të gjakut, si dhe me tumore solide.
Në këtë shërbim ofrohet kujdes multidisiplinar i personalizuar, bazuar në standardet më të fundit të mjekësisë pediatrike, në një ambient të sigurt dhe mbështetës për fëmijët dhe familjet e tyre.

