SHBA prezanton udhëzime të reja dietike, më shumë proteina dhe më pak ushqime të përpunuara
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. ka prezantuar udhëzimet e reja dietike të SHBA-së, të cilat u bëjnë thirrje amerikanëve të konsumojnë më shumë proteina dhe të kufizojnë ushqimet shumë të përpunuara si dhe sheqerin e shtuar, sipas BBC.
Udhëzimet, që publikohen çdo pesë vjet nga Departamenti i Bujqësisë dhe Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, sugjerojnë gjithashtu tre racione në ditë të produkteve të qumështit me yndyrë të plotë dhe lehtësojnë kufizimet për pijet alkoolike.
Këto udhëzime përbëjnë bazën e programeve federale të ushqyerjes, përfshirë programet e vakteve shkollore, dhe të rejat kanë marrë reagime të përziera nga ekspertët.
”Mesazhi im është i qartë: hani ushqim të vërtetë”, tha Kennedy në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Në përgjithësi, rekomandimet nxisin konsumimin e proteinave, produkteve të qumështit me yndyrë të plotë, drithërave integrale të pasura me fibra, si dhe frutave dhe perimeve, ndërsa këshillojnë shmangien e sheqernave dhe ushqimeve shumë të përpunuara, përfshirë snack-et e parapaketuara si patatinat, biskotat dhe karamelet.
Theksi mbi produktet e qumështit me yndyrë të plotë përbën një ndryshim nga udhëzimet e mëparshme, të cilat sugjeronin qumësht me pak yndyrë ose pa yndyrë për të kufizuar konsumin e yndyrave të ngopura.
Udhëzimet rekomandojnë gatimin me vajra si vaji i ullirit, por sugjerojnë edhe dhjamin e viçit si një alternativë — një preferencë e Kennedyt — edhe pse ai është i pasur me yndyra të ngopura.
Ndryshimet e përgjithshme u mirëpritën nga disa ekspertë mjekësorë, përfshirë Shoqatën Mjekësore Amerikane, e cila ka kritikuar disa nga veprimet e Kennedyt që nga marrja e detyrës.

