SHBA pezulloi vizat, deputetja e PD, Ina Zhupa: Vendimi i Trump, kambanë alarmi!

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar vizat për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një sinjal alarmi për gjendjen ku ndodhet vendi nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Zhupës, për vite me radhë qytetarëve u është servirur ideja e një Shqipërie me imazh të përmirësuar dhe me besueshmëri të lartë ndërkombëtare, ndërkohë që sot vendi, sipas saj, renditet në të njëjtën kategori me shtete të njohura për izolim dhe mungesë standardesh.

REAGIMI

Vendimi i SHBA-së për të pezulluar vizat për Shqipërinë është një kambanë alarmi për realitetin ku ka përfunduar vendi me qeverisjen e Edi Ramës!

Për vite kemi dëgjuar slogane për “partneritet strategjik”, “imazh të përmirësuar” dhe “besueshmëri ndërkombëtare”, ndërsa sot vendi ynë renditet në të njëjtën kategori me shtete që njihen për izolim, paqëndrueshmëri dhe mungesë standardesh.

Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e drejtpërdrejtë e një shteti të dobësuar nga lidhjet me narkotrafikun, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga institucione që funksionojnë për interesa politike, jo për qytetarët.

Në fund, ata që dëmtohen janë qytetarët shqiptarë!

Ky është një hap prapa për Shqipërinë, jo sepse partnerët na kanë braktisur, por sepse qeverisja ka dështuar. Kjo qeveri e dështuar duhet larguar një orë e më parë për të mirën e vendit!