MEHMETI VENDOS PËR TË ARDHMEN! Sulmuesi shqiptar është në prag të rinovimit me Bristol City
Pavarësisht interesit në rritje për Anis Mehmetin, sulmuesi shqiptar nuk do të largohet nga Bristol City, duke qëndruar në Championship-in anglez. Sipas raportimeve në mediet britanike, 25-vjeçari kuqezi është në prag të rinovimit të kontratës me klubin nga Bristoli.
Anis Mehmeti po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij dhe e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares shqiptare duket tashmë e qartë. Mediet angleze raportojnë se Mehmeti do të vijojë karrierën e tij te Bristol City, të paktën deri në fund të këtij sezoni.
Lajmi konfirmohet edhe nga Sky Sport britanik i cili bën të ditur se lojtari ndihet i qetë dhe i kënaqur në ambientin aktual, duke mos e konsideruar të nevojshme një ndryshim skuadre apo ambienti në këtë fazë të rëndësishme të sezonit.
Forma pozitive, minutazhi i rregullt dhe roli i rëndësishëm në ekip kanë ndikuar ndjeshëm në vendimin e tij për të marrë këtë vendim.
Sipas raportimeve, Mehmeti pritet që shumë shpejt të hedhë firmën në një kontratë të re me Bristol City. Zyrtarizimi është vetëm çështje ditësh, ndërsa klubi po punon për të siguruar vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të spikatur të këtij edicioni, shkruajnë mediet angleze.
Ky zhvillim është mjaft i rëndësishëm edhe për vetë Bristol City-n, pasi kontrata aktuale e Anis Mehmetit përfundon këtë verë. Pa rinovimin, ekzistonte rreziku që sulmuesi të largohej me parametra zero, një skenar që klubi anglez kërkonte ta shmangte patjetër, duke parë kontributin e tij në skuadër.
Në aspektin sportiv, Mehmeti po justifikon plotësisht besimin e dhënë. Në këtë sezon të Championship-it ai ka zhvilluar 26 ndeshje, ku ka realizuar 8 gola dhe ka dhuruar 6 asistime. Shifra këto që e rendisin ndër lojtarët më vendimtarë të skuadrës dhe ndër më të dalluarit në repartin sulmues.
Paraqitjet e tij të vazhdueshme kanë tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe analistëve sportivë në Angli, ndërsa lojtari shqiptar po konfirmohet si një element kyç në projektin e Bristol City për këtë sezon. Aktivizimi i rregullt dhe besimi i trajnerit kanë ndihmuar që 25-vjeçari të shfaqë potencialin e tij maksimal.

