Spalletti e pranon: Juventusi nuk është ende në nivelin e Interit dhe Napolit

Juventusi fitoi thellë me shifrat 5-0 ndaj Kremonezes në Serinë A, duke u afruar me kreun. Tashmë diferenca mes bardhezinjve dhe Interit zbret në 4 pikë. Por në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i torinezëve, Luciano Spalletti u shpreh se skuadra që ai drejton nuk është ende në nivelin e Interit dhe Napolit.

Juventusi ka dhënë një mesazh të fortë në garën për titull në Serie A, duke shkatërruar Cremonesen në ‘Allianz Stadium’ me rezultatin e thellë 5-0.

“Zonja e Vjetër” dominoi totalisht takimin dhe tregoi se është gati të sfidojë seriozisht ekipet kryesuese të kampionatit, si Interi, Napoli apo Milani. Bardhezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrë agresive duke kaluar shpejt në avantazh.

Pas vetëm 12 minutave lojë, Bremer realizoi golin e parë, duke devijuar me kokë një goditje nga distanca të Fabio Mirettit.

Vetëm pak minuta më vonë, Jonathan David ishte pranë golit të dytë, por tentativa e tij u ndal në shtyllë. Megjithatë, presioni i vazhdueshëm i vendasve u shpërblye pas vetëm 3 minutash. Thuram asistoi bukur për Dejvid i cili me një goditje të saktë brenda zonës dyfishoi rezultatin në 2-0.

Torinezët thelluan epërsinë në pjesën e parë, teksa Jilldiz realizoi nga pika  e bardhë e penalltisë. Fillimisht tentativa e tij u ndal nga portieri kundërshtar, por turku ishte me fat pasi topi iu rikthye sërish atij, duke mos gabuar kësaj radhe.

Edhe fraksioni i dytë nisi mjaft mirë për Juven. Në të 48-ën, pas një goditjeje të McKenniet, Terracciano devijoi topin në portën e tij, duke shënuar autogol.

Dominimi i Zonjës së vjetër vijoi edhe më tej, ndërsa goli i pestë erdhi në minutën e 64-t me autor mesfushorin amerikan Meckeni.

Minuta në këtë përballje pati edhe për Edon Zhegrovën, i cili u aktivizua në fushë në të 62-ën.

Pas ndeshjes, trajneri Luciano Spalletti vlerësoi paraqitjen e skuadrës, por theksoi se ekipi që ai drejton ende nuk është në nivelin e Interit dhe Napolit për të rivalizuar për titullin kampion.

E pashë Inter-Napoli, ata treguan futboll të nivelit të lartë, futboll të hapur dhe sulmues, me karakter dhe ide, që përfaqësojnë trajnerët e tyre. Mendoj se duhet të përmirësohemi shumë për të arritur nivelin e tyre dhe duhet t'i ndërmarrim këto hapa shpejt. Kam parë përpjekje të mëdha nga këta djem, kështu që mendoj se mund t'i bëjmë ato përmirësime, deklaroi tekniku.

Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e katërt me 39 pikë, 4 më pak se Interi kryesues.