VIDEO/ “Ylli” shqiptar që shkëlqen në Kroaci! Hoxha protagonist te Dinamo: Të rikthejmë titullin në Zagreb
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë për kanalin zyrtar të Dinamo Zagrebit. Gjatë rrëfimit, ai tha se momenti më i mirë i jetës së tij është nënshkrimi me Dinamon, ndërsa u premtoi tifozëve se do të rikthejnë titullin kampion në kryeqytetin kroat.
Arbër Hoxha po jeton një nga momentet më të mira të karrierës së tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po shkëlqen me fanellën e Dinamo Zagrebit dhe këtë e ka pranuar edhe vetë në një intervistë të gjatë për kanalin zyrtar të klubit kroat, ku ka folur për emocionet, golat vendimtarë dhe ëndrrën e madhe me Dinamon.
“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe", tha ai.
Hoxha u transferua te Dinamo Zagreb në vitin 2024 nga Slaven Belupo dhe shumë shpejt u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Në pjesën e parë të sezonit në elitën e futbollit kroat, 27-vjeçari ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë tri asistime në 17 ndeshje, duke kontribuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive të ekipit.
Mes golave të shënuar, Hoxha veçon njërin si më të veçantin.
“Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe një gol për tri pikë. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë", theksoi më tej lojtari kuqezi.
Atmosfera në stadiumet kroate dhe mbështetja e tifozëve të Dinamos janë një motiv shtesë për sulmuesin shqiptar, i cili tregon emocionet që përjeton sa herë që shënon para tribunave të mbushura.
“Kur sheh tribunat dhe tifozët duke kërcyer, është një ndjenjë e jashtëzakonshme", deklaroi Hoxha.
Në intervistë, Hoxha ka folur edhe për jetën e përditshme në Zagreb, përshtatjen me qytetin dhe ambientin e ri, por edhe për Kombëtaren shqiptare. Një moment i veçantë për të mbetet ndeshja mes Shqipërisë dhe Kroacisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani.
“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Kur kemi mbërritur në stadium, gjysma e tribunave ishin me tifozë të Kroacisë dhe gjysma me përkrahës të Shqipërisë. Të gjithë ishin të bashkuar dhe ishte e jashtëzakonshme", përfundoi 27-vjeçari.
Në karrierën e tij, Arbër Hoxha ka qenë pjesë e skuadrave si Ballkani, Prishtina, Lokomotiva e Zagrebit dhe Slaven Belupo.

