IMUNITETI I ZV/KRYEMINISTRES MË 28 JANAR! Peleshi thërret Këshillin e Mandateve, PD kallëzim në SPAK për bllokim

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet më 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Kryeparlamentari Peleshi thirri mbledhjen në të njëjten ditë kur Grupi I PD njoftoi kallëzim në SPAK për bllokim të procesit.

Shqyrtimi i kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetes, zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të vijojë më 28 janar.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, firmosi këtë të hënë urdhrin që i hap rrugë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Përcaktoi që palët politike, përfaqësuesit e SPAK dhe mbrojtësit ligjorë të zv.kryeministres do të ulen përballë në orën 12:00.

Kjo do të jetë hera e parë që Këshilli mblidhet pas takimit të 19 dhjetorit, kur në nisje të shqyrtimit të kërkesës, mbrojtja kërkoi të paktën 3 javë kohë për t’u njohur me provat, që sipas raportimeve përfshijnë mbi 16 mijë faqe.

Përballë 5 deputetëve të shumicës socialiste dhe 5 të opozitës demokrate, prokurorët e SPAK pritet të paraqesin argumentet e tyre dhe të shpalosin arsyet pse kërkojnë heqjen e imunitetit të një prej figurave kyçe të qeverisë.

Ndërkohë më 22 janar, çështja do të hyjë në shqyrtim në themel në Gjykatën Kushtetuese, aty ku do të përballet një nga dilemat më të forta institucionale të këtyre viteve.

Fillimisht, GJKKO e kishte pezulluar zv.kryeministren nga detyra me kërkesë të SPAK, por Kushtetuesja e pezulloi këtë vendim.

Tani, tetë gjyqtarët kushtetues do të duhet të japin një përgjigje që shkon përtej fatit të një zyrtareje të vetme: a ka apo jo të drejtë një gjykatë të pezullojë nga detyra një anëtar të Këshillit të Ministrave? Një pyetje që prek vetë ekuilibrat e pushtetit dhe vijën e hollë mes drejtësisë dhe politikës.

Vendimi i Peleshit erdhi vetëm disa orë pasi grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi kallëzimin në SPAK të kryeparlamentarit, me pretendimin se ka bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Sipas kërkesës së firmosur nga Gazment Bardhi, demokratët pretendojnë se kreu i Kuvendit ka kryer veprën penale “Shpërdorim të detyrës”, me qëndrimet e tij për çështjen, ndërsa anëtarët e PD kanë bërë 5 tentativa për zhvillimin e mbledhjes.