Sulmet e reja ruse në Ukrainë/ Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën, ambasadori ukrainas: Rusia ka arritur një nivel të ri të tmerrshëm të krimeve

SHBA- Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën me kërkesë të Ukrainës pas sulmeve të reja masive ruse në vend dhe përdorimit nga Moska të raketës Orechnik të gjeneratës së fundit.

"Rusia ka arritur një nivel të ri të tmerrshëm të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në sulmet e saj ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë", tha ambasadori ukrainas në OKB, Andriy Melnyk, në një letër duke kërkuar mbledhjen e këshillit.

Sulmet ruse gjatë natës së të enjtes dhe të premtes kanë ndërprerë ngrohjen në gjysmën e ndërtesave të banimit të Kievit, duke bërë që kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, tu kërkojë banorëve të evakuohen përkohësisht.

Për më tepër, për herë të dytë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Rusia përdori raketën balistike Oresnik të gjeneratës së fundit.

"Sot, Federata Ruse njoftoi zyrtarisht përdorimin e raketës balistike me rreze të mesme veprimi të quajtur 'Oresnik' në rajonin e Lvivit. Një sulm i tillë përbën një kërcënim serioz dhe të pashembullt për sigurinë e kontinentit evropian, duke minuar sigurinë rajonale dhe duke paraqitur rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në përgjithësi", komentoi ambasadori ukrainas në letrën e tij.

Kërkesa e Ukrainës u mbështet nga gjashtë anëtarë të Këshillit të Sigurimit (Franca, Britania, Letonia, Danimarka, Greqia dhe Liberia), sqaruan burime diplomatike që folën me AFP.