Protestat përfshijnë Iranin, autoritetet kërcënojnë me ek*ekutime
Situata në Iran është përshkallëzuar ndjeshëm pas shpërthimit të protestave masive, të cilat kanë çuar në përplasje të dhunshme me forcat e sigurisë dhe viktima në disa qytete të vendit.
Autoritetet iraniane kanë dhënë paralajmërime të ashpra, duke theksuar se pjesëmarrësit në demonstrata rrezikojnë burgime të rënda dhe deri dënimin me vdekje.
Kërcënimet e regjimit
Prokurori i Teheranit, Ali Salehi, deklaroi publikisht se çdo protestues që dëmton pronën shtetërore ose përplaset me policinë mund të përballet me ekzekutim. Paralajmërimi shoqërohet me një tjetër deklaratë nga kreu i drejtësisë së vendit, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, i cili u zotua për dënime “të rrepta, pa mëshirë”.
Shkak për këto masa ekstreme, sipas autoriteteve, u bë vrasja e prokurorit të qytetit Esfarayen, Ali Akbar Hosseinzadeh, si dhe humbja e jetës së disa oficerëve të sigurisë në incidentet e fundit. Shton tensionet edhe një pretendim zyrtar se zyra e prokurorit në Esfarayen u dogj gjatë përplasjeve.
Përhapja e dhunës dhe viktimave
Media shtetërore raporton vrasjen e anëtarëve të policisë dhe Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në qytete të mëdha si Teheran, Qom dhe Kermanshah. Në të njëjtën kohë, Ministria e Inteligjencës ka bërë thirrje që qytetarët të identifikojnë dhe raportojnë “sabotues dhe mercenarë të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli”.
Televizioni shtetëror ka shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar se qytetarët që dalin në rrugë pas orëve të mbrëmjes do të qëllohen.

