Farat autoktone/ Buça: Testohen mbirshmëria, pastërtia dhe shëndeti fitosanitar përpara certifikimit zyrtar

E ftuar në emisionin "Alert", në “Ora News”, ishte drejtoresha e Politikave të Mbrojtjes së Bimëve dhe Fara-Fidanëve në MBZHR, Valdete Buça, e cila shpjegoi procesin e certifikimit të farave autoktone dhe rëndësinë e ruajtjes së cilësisë së tyre sipas standardeve europiane.

" Certifikimi i farave i varieteteve autoktone kryhet nëpërmjet testimit, kryhet nën mbikqyrjen e entit shtetëror të farave dhe fidaneve, shikohet fuqia mbirëse e këtyre farave, shikohet pastërtia varietore gjithashtu dhe shëndeti fitosanitar që shoqërohet me certifikatë fitosanitare përpara certifikimit zyrtar që bëhet nga enti shtetëror i farave dhe fidanëve, i cili jepet nga autoriteti kombëtar i veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve.

Certifikimi i cilësisë së farave bëhet sipas skemave të OECD-së, ku Shqipëria është anëtare. Bëhet sipas legjislacionit europian të cilën e kemi të harmonizuar në legjislacionin tonë shqiptar. Kanë një etiketim specifik, pra farë në periudhë ruajtje, pra duke e theksuar që nuk është për prodhim intensiv industrial por e ka të kufizuar", u shpreh Buça.