MISRI “HELMUES” NGA SERBIA/ AKU dështoi të mbrojë qytetarët nga ushqimi i kontaminuar! Gati 25 tonë ushqim i kontaminuar u shit në ferma blegtorale
Gati 25 ton misër i kontaminuar nga Serbia është shitur në fermat blegtorale në Shqipëri, duke ekspozuar qytetarët ndaj një substance kancerogjene. AKU dështoi të ndalonte në kohë këtë ushqim të rrezikshëm, që mund të ketë prekur qumështin dhe nënproduktet e tij.
AKU po e humbet betejën për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. Në muajin dhjetor, Shqipëria importoi nga Serbia misër, ushqim për kafshë, i cili rezultoi i kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara , një substancë kjo që OBSH e klasifikon si kancerogjene të Grupit 1.
Kur kafshët konsumojnë misrin me Aflatoksin, kjo toksinë kalon në qumësht , duke e kthyer qumështin dhë nenproduktet e tij të pasigurta dhe të rrezikshme për konsum.
Në këtë rast situata është kritike pasi Aflatoksina mbetet aty edhe pas zierjes, pasterizimit apo përpunimit. E thënë më thjesht nxehtësia nuk e shkatërron këtë toksinë.
Pas kërkesës për informacion që televizioni "Ora News" i ka drejtuar AKU ky institucion na bën me dije se 78.060 kilogramë misër i kontaminuar ka hyrë nga Serbia në territorin shqiptar.
Dështimi i AKU-së qëndron në faktin se 24.760 kilogramë misër është shpërndarë dhe shitur në ferma blegtorale, ndërsa sasia tjetër është bllokuar.
AKU nuk mundi ta ndalë në kohë produktin e kontaminuar. Disa nga pasojat e kësaj toksine në trupin e njeriut janë:
- Rritje të rrezikut për kancer të mëlçisë
- Dobësim të sistemit imunitar
Efekte më të rënda te fëmijët: Pengesë në rritje dhe zhvillim
Duke u nisur nga fakti që qytetarët kanë konsumuar produkte të pasigurta, kemi disa pyetje publike për drejtuesin e AKU-së, Manush Kullolli:
Sa qumësht i kontaminuar është prodhuar nga këto ferma?
Sa është sasia që ka përfunduar në treg?
Dhe mbi të gjitha: kush mban përgjegjësi kur ushqimi i pasigurt përfundon në tryezat e qytetarëve?
Misri me prezencë Aflatoksine B1është shpërndarë në Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Kavajë.
Deri sa AKU të marrë përgjegjësi , çdo gotë qumësht që përfundon në tryezën tonë mund të jetë një rrezik i heshtur.
