Regjistri i vreshtave, dorëzimi i deklaratave nga operatorët brenda 15 janarit
Të gjithë operatorët e regjistruar në regjistrin e vreshtave, përfshirë vjelësit, prodhuesit, përpunuesit dhe mbushësit e shisheve, janë të detyruar të dorëzojnë deklaratat e prodhimit dhe të stoqeve sipas rregullores së re të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Deklarata e prodhimit për vitin aktual të verës duhet të dorëzohet deri më 15 janar dhe duhet të përmbajë identitetin e prodhuesit; vendin ku mbahen produktet; kategorinë e produkteve të përdorura rrush, musht rrushi ose verë në fermentim; furnizuesit dhe vëllimin e produkteve, të ndara sipas ngjyrës dhe kategorisë.
Formulari i deklaratës dorëzohet pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor të qarkut përkatës dhe duhet të dorëzohet edhe nëse prodhimi ka qenë zero.
Po ashtu, deklarata e stoqeve duhet të dorëzohet deri më 10 shtator, duke përfshirë identitetin dhe vendin ku mbahen produktet. Vjelësit janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e vjeljes deri më 15 janar, duke specifikuar sipërfaqen e mbjellë, sasitë e rrushit të vjelë dhe destinacionin e tij.
Rregullorja parashikon kontroll të sipërfaqeve të mbjella dhe sanksione administrative për operatorët që nuk e zbatojnë atë, me qëllim mbajtjen e një regjistri të përditësuar dhe të saktë të prodhimit të verës në vend.

