Seria A/ Ndalet Milani, Genoa humb penallti ‘in extremis’ (VIDEO)

Milani zgjati serinë pa humbje në Serie A në 17 ndeshje (11 fitore, 6 barazime), pasi barazoi 1-1 ndaj Genoas në “San Siro”, falë golit vendimtar të Rafael Leãos në minutat shtesë. Ndeshja ishte dramatike deri në sekondat e fundit, me miqtë që humbën edhe një penallti në minutën e 99-të.

Kuqezinjtë e nisën më mirë takimin dhe që në minutën e 7-të rrezikuan me Matteo Gabbia-n, i cili goditi traversën me kokë pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, Genoa u organizua mirë dhe kaloi në avantazh rreth minutës së 30-të, kur Lorenzo Colombo përfitoi nga një pasim i Malinovskyi-t dhe mposhti Mike Maignan.

Milani pati shansin ideal për të barazuar para pushimit, por pas një pritjeje të Leali-t ndaj Leão-s, Youssouf Fofana rrëshqiti në momentin vendimtar dhe humbi topin. Në pjesën e dytë, skuadra e Massimiliano Allegrit shtoi presionin, por goli i barazimit i shënuar fillimisht u anulua nga VAR për prekje me dorë të Christian Pulisic.

Rastet vazhduan, me Leali-n protagonist në portën e Genoas, deri në minutat shtesë. Aty, Leão u ngrit më lart se të gjithë dhe shënoi me kokë për 1-1. Drama nuk mbaroi: Genoa fitoi penallti në fund, por Stanciu e dërgoi topin mbi traversë, duke i falur Milanit një pikë.