KALENDARI/ Organizohet turneu “Futsal Junior”, ja si mund të bëheni pjesë

Nga data 16 janar deri në 1 shkurt, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në kryeqytet do të zhvillohet “Futsal Junior”, një aktivitet futbolli për fëmijët.

Ky aktivitet zhvillohet nga Federata e Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë dhe Agjencia e Parqeve Rekreative (APR).

FSHF njofton se turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” dhe është i vlefshëm për grup-moshat U-9, U-11 dhe U-13.

Ky aktivitet synon të promovojë futbollin e sallës, futbollin e moshave, të inkurajojë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve dhe të mbështesë organizimin e turneve si një element kyç në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Sipas FSHF-së, gjatë turneut, çdo ekip do të zhvillojë nga 4 deri në 6 ndeshje. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, si organizatore e aktivitetit, do të garantojë për çdo ndeshje arbitra, delegatë, staf mjekësor, si edhe mjetet didaktike të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Turneu do të zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” sipas këtij kalendari:

16 deri më 18 janar: ekipet e moshës U-13

23 deri më 25 janar: ekipet e moshës U-11

30 janar deri më 1 shkurt: ekipet e moshës U-9

Ekipet e interesuara për t’u bërë pjesë e turneut “Futsal Junior” mund të kontaktojnë në adresën e emailit: [email protected]. Pagesa e regjistrimit është 2.000 lekë për çdo fëmijë.