E RËNDË NË FILIPINE/ Shembet pirgu i mbetjeve, i merr jetën 22-vjeçares dhe zhduken 38 persona

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në Filipinet qendrore, ku një pirg i madh mbetjesh u shemb në një venddepozitim privat, duke shkaktuar vdekjen e një 22-vjeçareje dhe zhdukjen e 38 personave, kanë njoftuar autoritetet lokale.

Sipas të dhënave zyrtare, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat 12 persona të plagosur, kryesisht punonjës të shërbimeve sanitare që ndodheshin në venddepozitimin Binaliw, në qytetin Cebu.

Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Autoritetet besojnë se shumica e viktimave janë punonjës të venddepozitimit, ndërsa shkaku i shembjes mbetet ende i paqartë.

Megjithatë, sipas zyrtarëve lokalë, dyshohet se incidenti lidhet me praktika të dobëta të menaxhimit të mbetjeve, raporton BBC.

Rreth 300 persona, përfshirë forca emergjence, agjenci qeveritare dhe grupe civile, janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në vendngjarje janë parë ekskavatorë, autoambulanca dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa kërkimet vijojnë pa ndërprerje.

“Të gjitha ekipet e emergjencës mbeten plotësisht të angazhuara në përpjekjet për të gjetur personat e zhdukur”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Cebu-t, Nestor Archival, në një postim në Facebook.

Nga ana tjetër, këshilltari i qytetit Cebu, Joel Garganera, tha se operatorët kishin ndërhyrë në mënyrë të rrezikshme në malin e mbetjeve, duke prerë dheun dhe duke grumbulluar sërish mbeturina për të krijuar një tjetër pirg.

“Nuk është një venddepozitim sanitar, por një vendgrumbullim i hapur mbetjesh”, u shpreh ai për gazetën lokale The Freeman.

Venddepozitimet e hapura janë të zakonshme në qytetet e mëdha të Filipineve, përfshirë Cebu-n, që është një qendër e rëndësishme tregtare dhe nyje transporti për rajonin e Visayas-it. Venddepozitimi Binaliw shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh.