​MOTI I KEQ GODET DHE KOSOVËN/ Rahoveci themelon shtabin kundër përmbytjeve

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve, qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime, si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Reshjet e vazhdueshme të shiut që kanë përmbytur disa zona, e kanë detyruar komunën e Rahovecit, që të formojë Shtabin Komunal për Emergjencë.

Ky shtab, sipas njoftimit zyrtar, operon në çdo kohë dhe koordinon të gjitha ndërhyrjet për menaxhimin e situatës dhe sigurinë e qytetarëve, raporton KosovaPress.

Në këtë njoftim, ku kërkohet kujdes i shtuar nga të gjithë qytetarët, jepen edhe numrat e kontaktit të shërbimeve emergjente për rastet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme:

029/278/666 – Zjarrfikësit Rahovec

112 – Numri Unik Emergjent

193 – Njësiti i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit

192 – Policia e Kosovës

Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Besmire Bytyqi, ka thënë për KosovaPress se gjendja ka qenë jashtëzakonisht e rënduar në orët e para të ditës, por se aktualisht niveli i ujit ka shënuar rënie.