DIASPORA VOTON VETËVENDOSJEN/ LVV dominon votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka përmbyllur numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike jashtë vendit. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar shumicën dërrmuese të votave të diasporës. Ndërkohë, ka nisur numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë Kosovës, konkretisht në 40 vendvotime të organizuara në përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 13 mijë e 297 vota, ose 86.92 % të totalit. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 905 vota apo 5.92 %, Lidhja Demokratike e Kosovës me 726 vota ose 4.75 %, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 243 vota apo 1.59 %.

KQZ bën të ditur se votimi në diasporë është zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar për votim, kanë marrë pjesë 16 mijë e 165 qytetarë, që përfaqëson një pjesëmarrje prej 84.24 %.

Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë, në Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur edhe numërimi i fletëvotimeve që i përkasin votimit përmes postës. Ditë më parë, nga kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bernë janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime.

Pas procesit të vlerësimit dhe verifikimit, janë aprovuar 27 mijë e 600 pako, ndërsa mbi 950 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.

Sipas KQZ-së, në fazën e numërimit do të përfshihen gjithsej 27 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa procesi pritet të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.